Author Page

Zija Çela


Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare. Dallohet për romane, novela, por ka shkruar edhe shumë tregime e ese letrare.
Zija Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpijake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.

Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“Nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejme kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.

Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela zhvendoset në Itali per t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili sëmuret nga kanceri dhe mbyll sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtojë librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. Ja një pasazh nga ky libër: “Thonë se vyrtytet dhe talentet janë xhevahirët më të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të pohoj se xhevahiret e tij, gjithë kohën sa rrojti, Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm një herë i shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi në mortin e tij. Por doli se, për këtë, edhe opinioni kishte qenë i gatshëm... O atlet i jetës, që e humbe betejën! Sa herë që vdes një njeri si ti, vdekja nuk ka mundur vetëm individin, por tërë njerëzimin.”

View author books

All rights reserved. © 2015 Library Albania