Per shkak te situates te covid-19, do te jemi mbyllur deri ne nje njoftim te dyte.
Faleminderit per mirekuptimin.

Due to covid-19 situation, we will be closed until a second announcement.
Thanks for your understanding.

 

 

Blije këtë produkt
800 Lekë

Vjeshta e Alberto Savianit ( Botuar nga: Les Livres Rama në 2016 )

Autori:  Luan Rama

ragment nga libri me tregime ” Vjeshta e Alberto Savianit” të autorit Luan Rama: Atij iu duk se po dilte nga një tunel i errët dhe i pafund. Drita e bardhë që vinte nga jashtë gati e verboi. Një shkulmë e bardhë që e mbështolli të tërë. S’kishte parë kurrë kaq shumë dritë. Sapo vuri këmbët në tokë, mori frymë thellë dhe ajri i pastër e i freskët i pishave ia mbushi gjoksin dhe sikur e solli në vete. Ndjente se ishte në një gjendje të çuditshme, të papërcaktuar, si të ishte i dehur dhe se vinte nga diku, diku larg, sikur ishte dikush tjetër dhe jo ai, Gjeto Markaj. Mbante mend se kishte udhëtuar dhe kishte parë gjëra të çuditshme, plot njerëz të panjohur, gjysmë kufoma, madje dhe fytyrën e gjyshit të tij, kthina, bujtina të çuditshme me drita të zbehta, kollona e emblema të vjetra ilire, helene, romake, epitafë mesjetare me mbishkrime të çuditshme. Vallë kishte parë ëndërr? Çfarë? Përse gjithë rapsodë mbështetur diku, të lodhur nga këngët e tyre me çiftelitë që ende mbanin në duar? Përse ata malsorë «të vrarë», që qëndronin hijerëndë si të ishin në prag të një gjame, që çuditërisht ai filloi ta shohë të gjallë tek kërcenin rëndë përballë të vdekurit dhe rrihnin gjokset, gricnin faqet, ndërkohë që gjaku u rridhte? A nuk i kishte treguar gjyshi i tij për gjithë ata të vrarë për të mbrojtur kufijtë?… Gurët, gurët e kufijve. Ç’po ndodhte kështu? Ai shkundi kokën dhe menjëherë u kujtua se duhej të thërriste kalin e tij që e kishte lidhur aty pranë, një natë më parë, në një pishë të vetmuar, pranë atij shkëmbi ku ishte ndalur në atë natë të turbull, pa yje. – Gjog, gjog! – thërriti ai, duke dëgjuar ehon e zërit të vet. Mendoi se kali do të vinte me të dëgjuar emrin e tij, por jo, heshtja mbretëronte. Priti dhe pak të dëgjonte hingëllimën e kalit, kur papritur, shumë pranë tij, dëgjoi «krraun» e një korbi te madh e të zi që kërceu dhe gati e preku me krahët e tij, duke ndaluar diku më tutje. Ai vështroi korbin, i cili dhe ai ia kishte ngulur sytë. U habit që ishte shfaqur menjëherë aty. Vallë shenjë e keqe? – mendoi ai dhe kapi një gur duke qëlluar drejt korbit, i cili klithi sërrish dhe u largua më tutje. «Krrau, krrau…». – He të shoftë Zana, të shoftë! – i bërtiti ai dhe u nis drejt shtegut. S’kishte bërë një copë udhë kur në qetësinë e madhe të atij mëngjezi një uturimë e madhe, një zhurmë e tmerrshme ushtoi sipër kokës së tij. Ai ngriti kokën dhe vështroi lart në qiell, atë masë të madhe, atë qenie të çuditshme, si një shpend prehistorik që flitej nëpër legjenda, ndoshta të hekurt, që shkonte me vërtik duke vërtitur krahët e vet me shpejtësi të madhe. Menjëherë ra në tokë dhe mbuloi kokën me duar, pasi uturima ishte vërtet e tmerrshme. Dhe ashtu përmbys ndjeu zhurmën të largohej. Kur ngriti kokën, gjithçka kishte rënë në qetësi. Vallë një përbindësh, një kuçedër si ajo që i tregonte dikur nënlokja e tij?… Në qiellin e kaltërt nuk dukej më asgjë. «Po kjo ç’ishte?», mendoi ai me vete dhe u nis për të gjetur shtegun e kthimit. U kujtua se duhej të kthehej në shtëpi, pasi atje e prisnin. Dhe ai u nis. Por një gjë e habiste: pamja përreth kishte ndryshuar tmerrsisht. Një faqe e tërë e pyllit ishte xhveshur. Diku ishin nderur disa litarë hekuri. Po kjo ç’të jetë, mendoi ai. Megjithatë ishin majat e maleve dhe qafat e tyre ato që i tregonin udhën. E ndërkohë që ecte, përsëri dëgjoi «krraun» e korbit që mesa dukej e ndiqte. Ai i tundi duart dhe briti si të donte ta largonte. Nuk kishte bërë shumë udhë dhe ndërkohë e mori etja. Kur zbriti nga kodrina zbuloi rrjedhën e lumit dhe shkoi drejt tij, kur ndërkohë, papritur ai u shtang nga habia me atë urë gjigande që ishte ngritur aty, një urë hekuri, ku një qerre e rëndë, e stërmadhe, prej hekuri dhe me rrota që rrotulloheshin shkoi me shpejtësi, si një përbindësh. – O Zot! Ja dhe një përbindësh tjetër! Ku jam kështu? – tha ai dhe vështroi sërrish nga ura. Qerrja e hekurt, një katrahurë e vërtetë, la pas një tis pluhuri dhe gjithçka ra në qetësi. Menjëherë u ul, piu ujë me shpejtësi me grushtet e tij, duke shuar atë etje të madhe sikur të kishte javë pa pirë një pikë uji dhe u kacavjerr me këmbë e duar drejt urës. Kur mbërriti aty qëndroi përsëri i mahnitur. Po, ishte një urë hekuri. Qëndronte ashtu i tronditur nga pamja që kishte parë kur ndërkohë dëgjoi një buri dhe një qerre tjetër e hekurt që po vinte drejt tij me shpejtësi të llahtarshme. O Zot! – pëshpëriti ai. Dikush që ishte majë qerres, nxorri kokën nga një lloj kabine dhe i bëri shenjë të largohej duke sharë dhe vështruar me inat. Por ai nuk kuptoi asgjë, pasi habija e tij ishte e madhe me atë gjë që fluturonte me një shpejtësi skifteri. – O Zoti im! Thuamë, ç’bëhet kështu? – tha ai duke ngritur sytë, sikur t’i fliste Perëndisë së tij. «E habitshme, – mendoi ai, – këto qerre drejtoheshin nga njerëz, nga njerëz të çuditshëm! Nga vinin kështu?!» Dhe ai shkoi nëpër urë, duke u çuditur se rruga sipër nuk ishte prej dheu, por e rrafshët, e ftohtë, e fortë. Ai u përkul, vuri dorën mbi të, pastaj veshin të përgjonte, qëlloi me grusht mbi të dhe s’po kuptonte se ç’ishte ajo shtresë e fortë. Dhe ashtu i habitur, u ngrit dhe vazhdoi, duke dalë në rrugën e madhe gjithnjë i tronditur me gjithçka që shikonte. Më së fundi, rruga e çoi drejt e në një shpat shkëmbor përballë tij, ku ishte hapur një tunel gjigand që ai s’po kuptonte se si mund të ishte çpuar mali tej për tej. Ku të çonte vallë ajo shpellë në formë gjarpëri? Përse këtu?…

Çmimi: 800 Lekë
Blije këtë produkt
800 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Les Livres Rama (2016)
  • Botuar në: 2016
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-13: 979-10-94814-09-3
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 236
  • Përmasat e librit: 142 x 228 x 12 mm

Njihu me Autorin

Luan Rama -

Luan Rama ish-Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës korrik, 2002 - tetor, 2003 të qeverisë socialiste. Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së. Luan Rama është një nga 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017.[1] Ai i përket Lëvizja ...

Më shumë rreth autorit
 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania