Tonin Çobani i lindur më 5 nëntor të vitit 1947 në Shkodër është kritik letrar shqiptar
Tonin Çobani është graduar Doktor Shkencash (PhD) në fushën e letërsisë duke mbrojtur tezën "Ngjizja mitologjike në 'Lahutën e Malcis'" pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), Tiranë. Është pedagog i jashtëm i Shkrimit Akademik pranë Universitetit “Kristal” (Tiranë) që nga viti akademik 2008-2009 e në vazhdim. Më parë ka qenë aktivizuar, po si pedagog i jashtëm, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (ku ka titullin "Profesor i asociuar"), si lektor i Letërsi shqipe (1997-1998) dhe aktualisht i Eseistikës në Departamentin e Gazetarisë (2008-2009 e në vazhdim) . Në Tiranë, ku jeton familjarisht nga viti 1998, ka punuar gazetar i rubrikave kulturore dhe në vazhdim ushtron funksione të ndryshme pranë Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (sot AMA).
Gjatë vitit akademik 1977-1978, ka kryer me shkëputje nga puna studimet pasuniversitare për kritikë letrare, pranë Institutit të Lartë Arteve (sot Universiteti i Arteve, Tiranë), duke mbrojtur tezën "Qëndrimi ndaj Figurës së Naim Frashërit dhe veprës së tij gjatë viteve 1912-1939". Pas këtij kualifikimi pasuniversitar ai i kushtohet seriozisht kritikës letrare (dhe artistike) dhe studimeve historiko-letrare, duke publikuar në shtypin qendror artikuj, studime dhe përmbledhje me studime, ku mund të veçohen monografitë dhe botimet e shumta për jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës, të Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit dhe Nënë Terezës.
Mësimet fillore i ka nisur në qytetin e lindjes, Shkodër, ku prezenca e familjes Çobani dokumentohet në regjistrat e kishës nga viti 1734. Gjatë viteve 1961-1965 ka kryer shkollën e mesme pedagogjike të atij qyteti me rezultate të shkëlqyera. Ato rezultate kanë përcaktuar vazhdimin e studimeve të larta në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit Histori-filologji, dega Gjuhë-letërsi shqipe (1965-1969) dhe emërimin e tij si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit të Lezhës qysh në moshë 22-vjeçare.