Buy this product
800 Lekë

Rrugë pa krye ( Published by: in 2016 )


Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1988, kur rastësisht më ra në dorë një libër me poezi i Cesare Pavese-s, dhe i nxitur nga një thirrje e pashpjegueshme, u ndala pikërisht te poezia “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu.” E lexova me një frymë, e rilexova i magjepsur dhe i tronditur njëkohësisht. Ndalesha në çdo varg e në çdo fjalë, i torturuar nga moskuptimi i disa prej fjalëve, ngaqë në atë kohë pak lexoja në italisht, jo sepse nuk doja, por se nuk kisha ku të gjeja libra. Pasi e lexova disa herë poezinë, nxorra një bllok shënimesh nga çanta dhe i kopjova të nëntëmbëdhjetë vargjet e poezisë, ashtu siç bëja zakonisht me shumë prej poetëve të ndaluar, emrat dhe krijimtaria e të cilëve mbaheshin në karantinë të rreptë, ose “rezervat” siç thuhej atëherë, duke i damkosur me nga një “R” të kuqe në kopertinë. Kur u ktheva në dhomën time, e rilexova prapë poezinë nga vargu i parë në të fundit. Të nesërmen e kuptova se poezinë e kisha mësuar përmendësh dhe mund t’ia pëshpërisja vetes në fshehtësi, sa herë që gjendesha vetëm, i patrazuar nga prania e njerëzve. Efekti i kësaj poezie tek unë ishte i jashtëzakonshëm, duke më shkundur prej asaj qetësie të rreme, që kur e kur i krijojmë vetes për të fshehur disi zbrazëtinë dhe moskuptimin e ekzistencës tonë. Përveç vënies në pah të kumtit të njohur “do të vijë vdekja”, që çdo njeri e fsheh në qilarë të errët e të lagësht ku nuk ia ka andja të futet kurrë, dhjetëra pikëpyetje ngriheshin njëherësh për kotninë e shpresës, të iluzioneve, të ekzistencës, ndërsa vjen pashmangshëm zbritja në “vorbullën e shurdhët” të harrimit. Pyetjet shtynin njëra-tjetrën, duke shkaktuar vraga si gozhdët që ngulen në mish pa mundur të marrin një përgjigje, por në fund, këmbëngulëse, e parezistueshme gjithnjë mbetej pyetja: Të kujt janë ata sy që do të ketë vdekja në aktin final? Asokohe nuk dija asgjë për Constance Dowling, aktoren amerikane dhe flirtin e saj me poetin, për çka kritika, media dhe lexuesi do të ngrinin më vonë një mit sa poetik, aq edhe romantik e të jashtëzakonshëm, të qëndrueshëm gjer në ditët e sotme. Një mendje më thoshte se bëhej fjalë për sytë e gruas së dashur. Prania e syve të gruas së dashur, pikërisht në çastin e ardhjes së vdekjes, ose ardhja e vdekjes me sytë e ëmbël dhe të shtrenjtë të të dashurës, e bënte zbritjen në “vorbullën e shurdhët” të harrimit edhe më tragjik, të pabesë e shkatërrues, sepse në fund të fundit, nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa të vdesësh kur je i dashuruar.

Price: 800 Lekë
Buy this product
800 Lekë

Product Details

  • Published in: 2016
  • Language: Albanian
  • ISBN-13: 978-9928-4379-5-2
  • Format: Paperback
  • Page nr.: 178
  • Book dimensions: 134 x 208 x 15 mm
All rights reserved. © 2015 Library Albania