Blije këtë produkt
700 Lekë

Një dashuri dy jetë ( Botuar nga: Neraida në 2011 )

Autori:  Melinda Tuda
Përkthyesi:  Kleo Lati

Në romanin "Një dashuri, dy jetë" veprojnë një galeri e tërë personazhezh, të skalitura me mjeshtëri artistike nëpërmjet majës së penës krijuese të autores. Tipa dhe karaktere me të cilat ndeshemi përditë udhëve të jetës njerëzore. Ata përfaqësojnë grup - mosha të ndryshme, nivel kulturor që ndryshon nga njeri tek tjetri për nga mentaliteti, psikologjia, mënyra e të menduarit dhe të vepruarit për të arritur qëllimet e tyre. Megjithëse "skena" dhe mjedisi ku luhet drama e fateve të tyre është me qindra kilometra larg, të duket se në çdo faqe të librit "takon" shokun e punës, mikun e tavolinës së kafesë, fqinjin tënd, vartësin, eprorin, të dashurën, njerëz me të cilët, me apo pa dashjen tënde të lidhin fije të dukshme e të padukshme në jetën e përditshme. Gjithsesi, të gjithë janë aktorë të realitetit ku lind, zhvillohet, vërtitet dhe shuhet jeta njerëzore, njerëz të sinqertë e të mirë, ambiciozë dhe hipokritë, dashamirës dhe dashakeq. Duke zhbiruar me nuhatje artistike, autorja e romanit ka mundur të depërtojë në brendësi të shpirtit të tyre, të atij "laboratori" të ndërlikuar, në thellësi të të cilit "gatuhen" ndjenjat njerëzore dhe të nxjerrë prej andej me majën e penës anët pozitive dhe negative, duke e bërë portretin e çdo njerit prej tyre të dashur, apo të urryer prej lexuesit. Një meritë e Melina Tudës është fakti, se duke i mëshuar anës së brendshme të karaktereve të personazheve, ia ka dalë mbanë me sukses që në sytë e lexuesve, "bukuria" shpirtërore të triumfojë mbi bukurinë fizike. Romani i sapo shfletuar hapet me një fjali, ku shkruhet: "Zoti thotë se njerëzit që duhen nuk duhet të ndahen". Pas kësaj lexuesi mbushet me shpresë se epilogu i librit do të jetë një triumf i kësaj fjalie, por "takimi" faqe pas faqe me personazhet e shumtë, "thyhen" edhe besimin e shpresëtarit më optimist, e bën të vuaj, të lëngojë prej dhimbjes dhe të pyesë veten: Përse duhet të ndodhë e kundërta? Përse duhet që një dashuri të ndahet mes dy jetëve, kur dy zemra nën ritmin e dashurisë duhet të rrahin si e një e vetme, me të njëjtin ritëm?! Romani është i mbushur me shumë pyetje të tilla plot ankth, që nxjerrin krye e dalin në sipërfaqe për të dëshmuar se është e pamundur t'i shmangesh rrjedhës së fatit. Ai luan lojëra të çuditshme me njeriun, duke e detyruar atë t'i nënshtrohet. Rrallë herë ai merr nga jeta atë që dëshiron, më së shumti kënaqet me atë që ka. Kësisoj edhe pse lufton, përpiqet, mundohet pa reshtur nuk mund ta zgjedhë vet fatin e jetës, përkundrazi, është fati ai që përcakton jetën e tij. Ky mesazh i lashtë sa vet jeta mbi tokë, shprehet qartazi në fjalën e personazhes kryesore, Irinit, drejtuar burrit të saj në faqet e fundit të librit: "Më vjen keq Aristo, ne të dy luajtëm dhe humbëm…!". Duke i mbyllur këto shënime, mund të themi se romani "Një dashuri, dy jetë" është një kënaqësi më tepër për lexuesin shqiptar, ku çdo njeri gjen aty një "copëz" nga jeta e vet. Pas shfletimit të faqes së fundit, m'u kujtua shënimi i një studenteje në panairin e librit: " Shpresoj që ky të mos jetë libri i fundit firmosur prej Melina Tudës". Ashtu urojmë të gjithë, derisa romanet e shkruara prej saj deri më tani, lexohen me kënaqësi prej lexuesit të çdo moshe.

Çmimi: 700 Lekë
Blije këtë produkt
700 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Neraida (2011)
  • Botuar në: 2011
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-13: 978-99956-44-23-9
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 240
  • Përmasat e librit: 134 x 202 x 18 mm

Njihu me Autorin

 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania