Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes.
Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë deri në vitin nëntëdhjetë, kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të. Ky, në të vërtetë, është fati i shkrimtarit i cili nuk iu përshtat asnjërit nga dy sistemet e Shqipërisë: Monarkisë e Komunizmit. Po dhe të dy sistemet nuk e duruan atë si njeri të kulturës e të fjalës së lirë
Tituj të veprave:
- Lasgush Poradeci (1937)
- Net shqiptare (1938)
- Pylli i gështenjave (1958)
- Ago Jakupi e të tjera rrëfime, (1943)
- Sulm e lotë (1943)
- Shënime letrare (1944)
- Havadan më havadan (1944)
- Kapllan aga i Shaban Shpatës (1944)
- Dashuria e berberit Artan (1946)
- Xinxifilua, (1962)
- Tregime të moçme shqiptare (1965)
- Tregime të zgjedhura (1972)
- Baltë nga kjo tokë, (1973)
- Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983)
- Këngë e britma nga qyteti i djegur
- E madhe është gjëma e mëkatit (1993)