Romani “Narcisi dhe Gojarti”, me nëntitull “Histori e një miqësie”, është një prej veprave me të suksesshme të shkrimtarit të shquar Herman Hese, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë. Qysh kur u botua për herë të parë, në vitin 1930, kritika e vlerësoi si një vepër në vazhdën e traditës së romanit edukativ gjerman. Historinë e miqësisë midis Narcisit të talentuar, erudit e asket, dhe Gojartit, një artist endacak e gjenial, autori e vendos në mesjetën legjendare të katolicizmit manastiror, e cila është një prej epokave historike më të parapëlqyera në krijimtarinë e tij letrare.
Narcisi e ndien se prirja e mikut të tij s’është jeta prej murgu, dhe e ndihmon që ai të zgjedhë rrugën e vet. Dhe kështu nis për Gojartin jeta endacake, nisin aventurat e tij dashurore. Tomas Mani, duke vlerësuar lart këtë vepër të Herman Heses, thotë: “...një libër i mrekullueshëm, me një mprehtësi të rrallë poetike, me një përzierje elementesh të romantizmit gjerman e të psikologjisë moderne, madje edhe të psikanalizës frojdiste, një roman krejt i veçantë për sa i takon çiltërsisë dhe përmbajtjes interesante.”
Nisur nga ngjarjet mjaft tërheqëse dhe nga bukuria mahnitëse gjuhësore, kritika letrare e cilëson këtë roman si një vepër të madhërishme, plot dashuri e vuajtje, plot lumturi e fatkeqësi, si një libër që mbetet gjithmonë aktual dhe që të shoqëron përherë në rrugën e gjatë e të vështirë të jetës.
Price:
1200 Lekë