titleToAlt
Poezia e mirëfilltë fton, ashtu siç një dhembje e shprehur bukur, me hollësira trembëse dhe frymëzuese, etet të takohet, të njësohet e pastaj të shndërrohet në dritë (mençurie, përvoje e paqeje) me një dhembje të ngjashme, por e cila ngurron t'i hapet dikujt tjetër. Në ortekun e shkrimeve e botimeve të sotme, njëherazi me shtimin e moslexuesve, ftesat nuk numurohen dot, por shumica dërrmuese e tyre janë të rreme dhe nuk e kapërcejnë nevojën, por edhe këmbënguljen e pamëshirshme të autorëve për të përvetësuar kohë e emër nga lexuesi, ose thjesht për të fituar dhunshëm thelbin që nuk e kanë. Ndaj edhe tani, më tepër se kurrë, mundësitë e lexuesit për të gjetur poezinë e epërme, atë që krijohet për hir të mbijetesës e përkryerjes shpirtërore, janë shumëfishuar. Kjo tingëllon si sajesë, por, për fat të mirë ndodh, dhe ndodh edhe falë dyndjes së të ashtuquajturve stile, mjete, shkolla, vizione poetike etj, pavarësisht se sasia e këtyre të fundit duket sikur e ka shfarosur përfundimisht cilësinë. Poezia e mirëfilltë fton dhe gjen. Poezia e Ledia Dushit nuk vjen në shqip nga diku e dikur, sepse është kudo e kurdo për lexuesin e përkushtuar. Ajo fton heshturazi vetëm ata që janë në gjendje ta përjetojnë, ose ata që ëndërrojnë dëshpërimisht rritjen shpirtërore përmes poezisë. ARDIAN KYÇYKU Pjesë nga parathënia
Çmimi: 900 Lekë
titleToAlt
Barcelonë, fundi i viteve ‘70. Oskar Drai është një student i ri, që po kalon vitet e adoleshencës në një kolegj të zymtë të qytetit katalanas. I mbushur me energjinë e dhimbshme tipike për këtë moshë, herë ëndërrimtar e herë aventurier, Oskarit i pëlqen t’u shpëtojë mureve mbytëse të shkollës, për të humbur në labirintet e rrugëve, shtëpive dhe ndërtesave të lagjeve që pikojnë në çdo cep histori dhe mister. Në njërën nga këto arratisje, djali rrëmbehet nga një muzikë që e çon deri te dritaret e një shtëpie. Brenda, një gramafon i vjetër luan një këngë magjiplotë për piano. Nuk i reziston dot ngasjes dhe merr orën e vjetër që sheh sipër gramafonit... Por, një ditë më vonë kthehet sërish në atë shtëpi ku dhe takon Marinën dhe babanë e saj enigmatik, piktorin German. Dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë. Dashuria e tij e lindur për misterin, do të ndërthuret me të fshehtat e pathëna të një familjeje dhe një Barcelone gjithnjë e më të shtrenjtë: sekrete që do ta shtyjnë jo vetëm në arratinë më të gjatë të tentuar ndonjëherë nga ai kolegj i urryer, por edhe drejt fundit të pakthyeshëm të adoleshencës së tij.
Çmimi: 800 Lekë
titleToAlt
Në Barcelonën e muzgët të viteve ‘20, djaloshi i varfër David Martin ushqen një ëndërr sa të vjetër aq edhe universale: të bëhet shkrimtar. Kur fati befas i ofron rastin për të botuar një rrëfim të vetin, duket sikur më në fund suksesi i buzëqesh. Mirëpo pikërisht nga ky çast, jeta nis t’i nxjerrë pikëpyetje pa përgjigje, duke e ekspozuar si kurrë më parë në rreziqe të paparashikueshme dhe pasione të mëdha, krime të urryera dhe ndjenja të trazuara përgjatë rrugëve të një Barcelone herë të njohur e më shpesh të panjohur dhe shqetësuese, nga qoshet e së cilës përgjojnë vende dhe personazhe, që lexuesit e Hijes së erës kanë mësuar tashmë t’i duan. Kur Davidi vendos më në fund të pranojë propozimin e një botuesi të mistershëm - të shkruajë një vepër madhështore dhe revolucionare, e destinuar të ndryshojë fatet e njerëzimit - nuk e kupton menjëherë se pas realizimit të një vepre të tillë nuk do ta presin vetëm nderi dhe lavdia... Me një stil shkëlqimtar dhe një mjeshtëri të veçantë rrëfimi, Zafón-i kthehet të na udhëheqë nëpër misteret e Varrezës së Librave të Harruar, duke na dhuruar një histori ku cilën pasioni i pafund për librat, fuqia e dashurisë dhe forca e miqësisë gërshetohen edhe një herë në një bashkekzistencë të papërballueshme.
Çmimi: 1250 Lekë
titleToAlt
Pas "Sallës së ujqërve", një roman që tregon origjinën e Anglisë moderne përmes syve të Tomas Kromuellit, kësaj figure kaq të diskutuar, kjo pjesë e dytë e veprës që u kushtohet Tudorëve, nis më 1535, kur Sekretari i Shtetit i Henrit VIII është në kulmin e pushtetit. Fati i tij ka shkuar përkrah atij të Ana Bolenës, bashkëshortes së dytë të mbretit, për hir të së cilës mbreti i dha fund marrëdhënies me Kishën e Romës dhe themeloi Kishën Anglikane. Por politika e oborrit mbretëror e shtyn Anglinë në një izolim të rrezikshëm dhe Ana nuk e mban dot premtimin: ajo nuk i jep mbretit një djalë që do të siguronte trashëgiminë e Tudorëve. Kurora është e dobët dhe kur Kromuelli e ndihmon mbretin për t’u afruar e për të krijuar një marrëdhënie dashurie me Xhejn Sejmurin e qetë dhe të tërhequr, fundi i martesës me Ana Bolenën është i sigurt. Ndërsa i çel rrugën mbretit përmes skandaleve seksuale të oborrit, Sekretarit të Shtetit i duhet të merret edhe me versionin zyrtar të komplotit të Anës, për të kënaqur Henrin, por edhe me sigurimin e karrierës së tij, për të ruajtur përgjithmonë pushtetin dhe kurorën. Por askush, as Tomasi, as vetë sunduesi nuk do të dalin të pacenuar nga teatri tragjik i ditëve të fundit të jetës së Anës, mbretëreshës, e cila shkon përpara trekëmbëshit me guxim dhe solemnitet, duke përmbytur në gjak historinë angleze.
Çmimi: 1400 Lekë
titleToAlt
Një redaksi që mbledh lajme dhe që përgatit një gazetë të përditshme, e cila më shumë sesa informacionit i kushtohet shantazhit, hedhjes baltë ndaj të tjerëve, për interesat e ulët të botuesit të saj. Një redaktor paranojak që, duke ardhur rrotull nëpër një Milano të dalldisur (ose i dalldisur nëpër një Milano normale), rindërton historinë e pesëdhjetë vjetëve të fundit të Italisë në sfondin e një plani fluturak që sillet rreth kufomës së kalbur të një pseudo Musolini. Dhe në hije shfaqet Gladio, P2, vrasja e papa Luçianit, grushti i shtetit i Xhunio Valerio Borgezes, CIA, terroristët e kuq të manovruar nga zyrat e shërbimeve të fshehta, 20 vjet masakra dhe maskime, një mal me fakte të pashpjegueshme që ngjajnë si të sajuara, derisa në një emision të BBC provohet që janë të vërteta ose që të paktën tashmë janë rrëfyer nga goja e vetë autorëve. Dhe pastaj një kufomë që hyn befas në skenë, në rrugën më të ngushtë dhe më famëkeqe të Milanos. Një histori e mekur dashurie midis dy personazheve humbës për nga natyra, një ghost writer i dështuar dhe një vajzë shpirttrazuar, që, për të ndihmuar familjen, ka braktisur universitetin dhe është specializuar në thashethemet për lidhjet dashurore të personave publikë, por që ende derdh lot kur dëgjon tokatën e dytë të Simfonisë së Shtatë të Bethovenit. Një manual i përsosur për gazetarinë e keqe, që lexuesi dorë pas dore nuk e di nëse është i sajuar apo thjesht i nxjerrë nga realiteti. Një histori që zhvillohet në vitin 1992, ku parashikohen shumë të fshehta dhe marrëzi të njëzetvjeçarit të ardhshëm, pikërisht ndërsa dy protagonistët mendojnë se makthi ka marrë fund. Një histori e hidhur dhe groteske që ndodh në Europë, nga fundi i luftës e deri më sot.
Çmimi: 1000 Lekë
titleToAlt
Ema, romani i katërt, i botuar në 1816, nga Jane Austen, lavdërohet shpesh si kulmi i gjenisë së autores. Romani është një komedi romantike klasike, plot me mprehtësinë dhe ironinë që karakterizonte Jane Austen, një kombinim i përkryer i ndjenjave romantike dhe satirës. Ema Udhauz është e bukur, e pasur dhe inteligjente. Ajo është e kënaqur me jetën e saj dhe nuk e ndjen nevojën e dashurisë apo të martesës. Megjithatë, asgjë nuk e tërheq Emën më shumë se ndërhyrja në dashuritë e të tjerëve. Ema, e rritur me një respekt të lartë për vlerat e saj, është kaq e sigurt në bindjet e saj, sa që është e verbër ndaj opinioneve të të tjerëve. Historia është një komedi gabimesh, ku Ema duke u munduar të zgjidhë çështjen e martesës së një shoqeje e cila nuk gjendet në të njëjtin status social apo ekonomik si ajo vetë, në të vërtetë rrezikon të shkatërrojë mundësinë e vetme që të dyja kanë për të qenë të lumtura. Çiftet formohen nën shenjën e një Dashurie të trullosur nga iluzionet, ambiciet shoqërore dhe afërsitë e preferencave. Megjithëse Austen vetë e ka përshkruar Emën si një heroinë që “askush përveç meje nuk do ta pëlqejë”, ajo e veshi krijesën e saj me sharm të mjaftueshëm dhe me aftësinë për të mësuar nga gabimet e saj. Falë heroinës së saj tërheqëse, megjithëse jo të përkryer, dhe eksplorimit të hollë të lidhjeve, Ema shpesh konsiderohet si vepra më e mirë e Jane Austen-it. Që nga botimi i saj në fillimin e shekullit XIX, kjo kryevepër nuk ka dalë kurrë nga qarkullimi dhe ka frymëzuar me mijëra studime akademike, përsiatje dhe filma.
Çmimi: 1000 Lekë

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania