Libri i prof. Neritan Cekës, “Apollonia. Historia dhe Monumentet”, është
botuar në shqip,anglisht, frëngjisht dhe italisht. Si i tillë ai mund të
zërë vend në bibliotekat e institucioneve të arsimit parauniveristar, për tu
përdorur nga nxënësit për historinë e vendlindjes, për plotësimin e
historisë së Shqipërisë, si dhe për lexime krahasuese në orët e mësimit të
gjuhëve anglisht, frëngjisht, apo italisht.
Libri është shkruar për të kënaqur kërkesat e një rrethi të gjerë lexuesish,
të cilët kanë njohuritë kryesore mbi historinë antike dhe historinë e
Shqipërisë. Pjesa e parë e tij i kushtohet historikut të kërkimeve
arkeologjike në Apolloni dhe historisë së themelimit dhe zhvillimit të
qytetit gjatë shekujve. Në këtë kuadër një vëmendje e veçantë i është
kushtuar lidhjes midis historisë së Apollonisë dhe asaj të prapatokës ilire,
si një bashkëveprim midis dy etnive që i popullonin ato-helenëve të ardhur
nga Korinti e Korkyra dhe banorëve taulantë e bylinë të prapatokës.
Nëpërmjet të dhënave arkeologjike është evidentuar edhe rroli i banorëve me
origjinë ilire të qytetit, të cilët dëshmohen nëpërmjet mbishkrimeve,
skulpturave, apo objekteve tipike të gjetura në Apolloni.
Pjesa kryesore e librit i kushtohet përshkrimit të qytetit dhe të
monumenteve kryesore të tij, duke filluar nga muri rrethues, qendra
monumentale e qytetit, banesat dhe nekropoli. Në këtë paraqitje vihen në
dukje dhe tiparet origjinale të arkitekturës apolloniate në tipologjinë e
fortifikimeve, të shëtitores, nymfeut, apo të elementeve arkitektonikë të
harkut, kolonave tetëkëndëshe, etj.
Libri përmban një dokumentacion ilustrues nëpërmjet citimeve të disa
burimeve të shkruara mbi Apolloninë dhe përshkrimit të disa prej objekteve
më të bukura të zbuluara atje. Lista e literaturës kryesore historike e
arkeologjike, si dhe një fjalor i terminologjisë së përdorur, i japin librit
vlerën e një botimi dinjitoz. . Cilësia e lartë e botimit dhe ilustrimet e
pasura e bëjnë atë një libër të vlefshëm për bibliotekat personale, si dhe
atyre të institucioneve të arsimit parauniversitar, apo universitar, ku mund
të përdorët për nxënësit dhe studentët për të zgjeruar njohuritë mbi
historinë e lashtë të vendit tonë, apo të vendlindjes.
Çmimi:
1000 Lekë