Zërat e natës është pjesa e tretë e trilogjisë që nis me romanin Aromat e vjeshtës dhe vazhdon me Vals në shkretëtirë. Edhe në këtë pjesë të fundit, në qendër është personazhi tashmë i njohur i një gazetari dhe shkrimtari, i cili shpesh gjendet në vende e në kohë të gabuar, por që me zhvillimin e ngjarjeve edhe në dy pjesët e tjera, tashmë kjo nuk përbën më rastësi. Ndërsa tek Aromat e vjeshtës, heroi gjendet para të papriturave apo bëhet pre e thashethemeve dhe intrigave meskine, te Vals në shkretëtirë, ai bie në rrjetën e grupeve kriminale, të cilët kërkojnë të përfitojnë prej tij, duke i bërë shantazh dhe duke e futur në rrugë pa krye. Te Vals në shkretëtirë trajtohet gjithashtu tema e korrupsionit në kupolën e policisë dhe lidhjet e segmenteve të caktuara të saj me krimin.
Edhe pjesa e tretë e trilogjisë, e titulluar Zërat e natës, është një triller, por këtu autori i kthehet së kaluarës, ku e ka origjinën edhe krimi i ndodhur në fillim të librit. Një triller psikologjik e social, i cili, me zhvillimin e ngjarjeve, formësohet si një triller politik, ku hijet e së shkuarës shfaqen me gjithë brutalitetin dhe egërsinë e tyre. Heroi i romanit, Franc Kraja, lufton për të vërtetën, nisur nga humanizmi por edhe nga ndjenjat e hershme që ushqen për Janën.
Çmimi:
1000 Lekë