Libri “Bylisi. Historia dhe Monumentet” përfaqëson një sintezë të punës së
përbashkët shumëvjeçare, që të dy autorët kanë bërë për të zbuluar qytetin
ilir të Bylisit dhe për ta kthyer atë në një nga parqet arkeologjike më të
rëndësishme të vendit tonë.
Si pjesë e një serie botimesh me karakter shkencor-popullor, ku rreshtohen
edhe librat mbi Apolloninë, Butrintin dhe Antigonënë, autorët kanë ndjekur
një paraqitje të historikut të kërkimeve arkeologjike, historisë së
bashkësisë së bylinëve, përshkrimin e monumenteve dhe dokumentimin e
burimeve më tipike nga autorët antikë, së bashku me përshkrimin e thesarit
arkeologjik, bibliografinë dhe fjalorin terminologjik. Kjo i jep mundësinë
lexuesit ta përdorë atë si udhëzues gjatë vizitës në qytetin antik, por edhe
si libër leximi për të plotësuar njohuritë mbi vendlindjen, apo historinë e
lashtë të Shqipërisë.
Një kujdes i veçantë i autorëve ka qenë evidentimi i Bylisit si përfaqësues
tipik i qytetërimit ilir në periudhën e zhvillimit të qyteteve ilire dhe
veprimit të Mbretërisë ilire në shek. IV p. Kr.
Vendi i veçantë që zinte Bylisi në kontekstin e marrëdhënieve midis shtetit
dhe qyteteve ilire del në pah nëpërmjet madhështisë së monumenteve publike
si teatri, stoat, stadiumi, por edhe të dëshmimit të një sistemi demokratik
të qeverisjes nëpërmjet institucioneve të zgjedhura periodikisht.
Krijimtaria origjinale e arkitektëve vendas paraqitet në raport me ndikimet
e qarta kulturore që kanë ardhur nga Apollonia, Epiri, apo Maqedonia. Në
kuadrin e zhvillimit të një kulture me karakter mesdhetar, por me trajta
vendëse, vihet në dukje edhe qëndrueshmëria e traditave të popullsisë ilire,
krijuese e këtij qytetërimi, përmes emrave ilirë të drejtuesve të qytetit,
apo mbajtjes së veshjes ilire nga gratë qytetare.
Një interes të veçantë paraqet Bylisi për rrolin e tij qendror gjatë
periudhës Bizantine, kur zuri vendin e Apollonisë si qendër administrative
dhe kishtare. Kjo periudhë evidentohet edhe nëpërmjet monumenteve të mëdha
religjioze, siç janë gjashtë bazilikat e zbukuruara me mozaikë të një
cilësie të lartë. Si i tillë Bylisi cilësohet si qyteti më i rëndësishëm
ilir, por njëkohësisht edhe si qendra më e pasur me monumente arkeologjike
periudhës bizantine në vendin tonë.
Kuadri i zhvillimit të qytetërimit në trevën e bylinëve është plotësuar nga
autorët edhe nëpërmjet paraqitjes së shkurtër të qendrave të tjera qytetare
byline, si Klosi, Gurëzeza, Margëlliçi, etj.
Vlerat e librit shtohen nga cilësia e lartë e botimit dhe përkthimi i tij në
anglisht, frëngjisht dhe italisht. Si i tillë ai do të ishte një libër i
domosdoshëm në bibliotekat personale, ato publike, si dhe të institucioneve
t arsimit parauniversitar, për të shërbyer në leximet për historinë e lashtë të Shqipërisë, të vendlindjes, apo të mësimit të gjuhëve të huaja.
Çmimi:
1000 Lekë