“Zoti nuk ka djalë”, është libri më i ri i gazetarit Irhan Jubica. Libri përmban 50 intervista të realizuara gjatë 20 viteve (1996-2015), të cilat janë përzgjedhur në mesin e shumë intervistave të realizuara gjatë 25 viteve në gazetari. Dominojnë kryesisht shkrimtarët, por ka edhe artistë të tjerë si edhe një shkencëtare.
Një shkëputje e shkurtër nga parathënia:
“Vrau më 1997 për pazaret e drogës, ekzekutohet me silenciator prapa koke i dashuri i ri i Roos Pijes. Sex-bomba e ekranit: Ai ishte ëngjëll!
Ky asht ndër titujt ma jetëgjatë të tranzicionit shqiptar, sepse bota mediave vërtitet që prej nji çerek shekulli rreth personazheve dhe temave të tilla, tu' i dhanë jetë nji vorbulle e cila i ka viktimizue miliona ndjekës të ekraneve, altoparlanteve, revistave e gazetave, e sidomos të internetit.
Në këtë realitet ku media në përgjithësi, por sidomos internetmedia po e mbytë kulturën dhe ku kjo e fundit, me ndihmën e dhunuesit të vet po e mbytë artin, jo vetëm kultura dhe letërsia kanë mbetë me iu paraqitë publikut sipërfaqësor me fjalët prekëse të ndonji përdhunuesi mediatik për fëmijët e tij, mbasi ua ka vra prindërit dhe fëmininë fëmijëve të tjerë.
Të detyruem me u strukë ndër kthina periferike idealistësh parahistorikë, kultura dhe arti i vërtetë arrijnë me dalë deri në bulevardet qendrore veç si meteorë, e jorrallëherë pa u regjistrue në kujtesën kolektive. Kjo asht nji nga arsyet e këtij libri me 50 intervista, të zgjedhuna në mesin e mijërave të realizueme përgjatë 20 viteve angazhim në gazetari, një pjesë e të cilave botue s'pari në nji meteor të tillë, si revista letrare shqiptare ARS.
Për shkak të besimit se libri nuk ka vdekë, këtu janë përfshi rrëfimet tronditëse të dëshmitarit Simon Jubani për ekzekutimet e kundërshtarëve politikë në Shqipninë e mbas Luftës së Dytë Botnore, të Trebeshinës për përjashtimin nga letërsia shqipe, të Yllka Mujos për ndikimin e Luiza Milerit në personalitetin e saj, të Edi Hilës se artistët shqiptarë ekspozojnë në galeri të parandësishme në botë, të Agim Vincës se nga mesi i gjenocidit Kosova po shkon kah pamvarësia, të Rreshpjes së paqtë e të paqetë, të Luan Starovës se mund të mos ishte ba ai që asht nëse kishte me jetue në Pogradecin ku lindi, apo të Kapllan Resulit 70-vjeçar se nuk asht ndi mirë me asnjenen prej tri familjeve që krijoi.
Mirëpo sido qofshin, dëshmitë janë të njerëzve të kulturës e artit të vërtetë dhe në asnji rast nuk i imponohen lexuesit me trushplamjen e dy rreshtave të parë të këtij shkrimi. Të thana me gjysë zani apo me klithje prej palcës kurrizore, bashkë me të vërtetat e Coelho-s, Tamaro-s, Mohammed Bennis-it dhe të Laura Mersini-Houghton - për herë të parë për nji gazetar shqiptar që në vitin 2002 - këto dëshmi nxajnë vendin kryesor në libër krahas mundimeve artistike e jetësore të Dibrës, Stanit, Mehmetit, Karahodës, Shpëtim Kelmendit, Lubonjës e Kasoruhos.
Ndoshta vetëshkatërrimit kulturor të njeriut nuk i duhet nji shpëtimtar Deus ex machina, por arti i këtyne artistëve.
Çmimi:
1200 Lekë