Nuk ka më magjike se sa veprat letrare, për të zgjuar tek ne, ato gjendje që shpesh në rrethana të tjera nuk i verifikojmë dot apo nuk e dimë se i kemi brenda vetes. Ndodh taman si me letrën e lakmusit, që në tretësira të ndryshme shfaq ngjyra dhe veti të ndryshme. Veprat letrare gjatë leximit, na stilojnë në mendje realitete paralele, prodhojnë tek ne përjetime personale. Ndodh që duke lexuar një roman, në kokën tonë strukturohet një roman tjetër, që ecën paralel me subjektin tonë të lexuesit, pra ne bëjmë me vete gjatë procesit të leximit edhe një roman të dytë, një roman tonin, që i ngjan dhe s'i ngjan atij që po lexojmë. Pikërisht këtë nukël, këtë energji që vjen prej brendisë së veprave letrare, këto valenca fjalësh dhe subjektesh, këto kuante ka kapur "antena" e lexueses Eli Kanina, që më pas tërë këtë pasuri vetiake dhe leximesh e ka kthyer në një agregat estetik dhe letrar, për të na sjellë këtë libër të mrekullueshëm. Patjetër që një shkrimtare e talentuar, e ka shumë të përpunuar shqisën dhe shijen e leximit. Veprat e lexuara nga Kanina kanë zgjuar tek ajo përfytyrime vetjake, kënaqësi personale, emocione të vetvetes, imazhe dhe ide të fjetura brenda qenies. Kjo autore ka lexuar tërë jetën, dhe pikërisht letërsia i ka "prishur" qetësinë e së zakonshmes, i ka transmetuar efektet dhe impresionet e saj, e ka sugjestionuar që në fëmijëri, i ka zgjuar që në vitet e para të leximit ato jehona që vijnë prej skutave të nënvetëdijes, librat i kanë dhënë asosacione, i kanë prodhuar atë që, Alfred Hiçkok e quan "Filmi i dytë në kokën e lexuesit". Dhe tërë këto gjendje kanë formuar tek kjo shkrimtare e talentuar "alter tekstin" e saj. Mikja ime, autorja Eli Kanina, ka këtu rreth njëzet e ca shkrime për njëzet e ca autorë apo libra, por me progresionin e saj të leximeve dhe përjetimeve, na ka dhënë shumë më shumë letërsi se vetë ata libra, ata subjekte, ato gjendje leximesh.
Më tepër se një falenderim për bashkëpunimin tek gazeta Mapo, edhe një urim për këtë libër, këtë
gjest letrar shumë interesant për lexuesin!- “MARK SIMONI”
Çmimi:
500 Lekë