Ticiano Ferro, është pesëmbëdhjetë vjeç kur vendos t’ia besojë mendimet e tij një ditari. Është një ditar si ai i shumë djemve të moshës së vet: shkolla, shokët, dashuritë e para, pasioni për muzikën. Ama, forca me të cilën ngulmon të ndjekë ëndrrën e tij për të realizuar një album, është jashtë së zakonshmes. Me ta arritur, Ticiano godet në shenjë.
Gjithçka merr me të shpejtë: njëkohësisht me emocionet e koncerteve dhe habisë për adhuruesit e shumtë, fillojnë edhe ëndrrat e këqija, vetmia gjatë udhëtimeve dhe nëpër dhomat e hoteleve, frika se mos nuk do të jetë në lartësinë e duhur. Duket sikur që nga ai çast, Ticiano zë të përjetojë një dyzim: nga një anë talenti që gëlon e zhvillohet, bashkëpunimet me yjet më të mëdhenj italianë dhe ndërkombëtarë, shpërblimet nga publiku, nga kolegët dhe kritika, turmat e adhuruesve, ndërsa nga ana tjetër ndjesia e një vetmie të pazakontë, e një malli të pashlyeshëm, e largësisë nga familja ( para të gjithëve nga Flavio, i vëllai) dhe nga miqtë në Latina. Për të nuk ka prehje. Kurrë. Si një sizmograf i ndjeshëm, në këtë ditar, Ticiano shënon me besnikëri emocionet dhe gjendjet e tij shpirtërore. Me çiltërsi të dhimbshme, por edhe me shumë kërshëri, humor dhe me një ndjesi zhgënjimi aspak të zymtë, ai rrëfen faqen tjetër si të suksesit, ashtu edhe të vetvetes, pa patur frikë se do të duket i brishtë, se do të tregojë zona të errëta, kundërshti dhe shqetësime.
Në fund të këtij bashkëbisedimi të apasionuar me veten dhe me publikun e tij, lind, ndofta, edhe një ndërgjegjësim i ri.
“Askush nuk do ta kuptonte kurrë, por më duket se po të zgjohesha dhe të shihja që nuk do të kisha më sukses, gjëja e parë që do të bëja do të ishte se do të përfitoja menjëherë. Do të dilja në qendër në orarin e pikut, do të bëja zullume, do të shihja njerëzit në fytyrë, nuk do të shmangia vendet e tejmbushura, nuk do ta vrisja mendjen gjithnjë dhe vetëm për atë që ndodh brenda meje, por edhe për atë që ndodh jashtë…”
Çmimi:
900 Lekë