Histori e një dashurie ( Botuar nga: Santori në 2016 )
"Ja, pra, ku më së fundi këto letra të një torture pesëvjeçare u botuan në një vëllim prej 750 faqesh; emri i së fejuarës shënohej për shumë vjet me radhë, pa rënë në sy, me një F., sipas shembullit të K.-së, kështu që për një kohë të gjatë as që dihej ç'ishte ky emër; sadoqë e vrisje mendjen shpesh, ndër emrat e shumtë që të kujtoheshin nuk gjeje dot kurrë emrin e kërkuar, dhe vërtet që do të kishte qenë krejt e pamundur t'i bije në të: tani ky emër është i shtypur në libër me shkronja të mëdha.
I lexova këto letra me një mallëngjim të tillë që s'e kam provuar qysh prej vitesh në një vepër letrare. Tashmë këto letra bëjnë pjesë në serine e atyre kujtimeve, autobiografive dhe letërkëmbimeve unike, prej të cilave ushqehej edhe vetë Kafka. Cilësia më e lartë e tij ishte respekti, ndaj dhe s'është druajtur t'i lexojë e t'i rilexojë letrat e Klajstit, të Floberit e të Hebelit. Ndaj tmerrit të jetës, për të cilin, fatmirësisht, pjesa më e madhe janë të vetëdijshëm vetëm nganjëherë, kurse disa pak të tjerë, të caktuar si dëshmitarë prej fuqish të brendshme, janë gjithmonë të vetëdijshëm, ka vetëm një ngushëllim: përfshirja e tij në tmerret e përjetuara më përpara nga dëshmitarë të tjerë. Pra, duhet t'i jemi me të vërtetë mirënjohës Felice Bauerit që i ka mbajtur e i ka shpëtuar letrat e Kafkës.
Të flasësh këtu për dokument, do të ishte tepër pak, veç në mos përdoret e njëjta fjalë për dëshmitë e jetës të Paskalit, të Kirkegardit dhe të Dostojevskit. Sa për mua, mund të them vetëm se këto letra kanë depërtuar brenda meje si një jetë e mirëfilltë, dhe se tani ato i ndiej aq të afërta e aq enigmatike, si të më takonin mua qysh prej shumë kohësh, qysh atëherë kur jam përpjekur të strehoj brenda qenies sime njerëz në tërësinë e tyre, në mënyrë që të nis e të rinis pareshtur për t'i kuptuar."
Çmimi:
900 Lekë