Blije këtë produkt
800 Lekë

Hëna mbi kështjellë ( Botuar nga: Dyrrah në 2016 )

Autori:  Viktor Canosinaj

Pjesë e shkëputur nga romani “Hëna mbi Kështjellë”: Kur brofi ndenjur në shtrat dhe vuri duart para gojës, ishte vonë për ta ndalur: klithma rebele e kënaqësisë, e papërmbajtur, drithëruese, e ëmbël deri në vetëdorëzim, kishte shkuar larg. Ishte përzier me zhaurimën e ujërave të një vendi të panjohur malor rrethuar me lisa të lartë, që nuk të lejonin të dalloje në ishte ditë apo natë. Gruaja vështroi rrotull nëpër dhomën e madhe, ku errësira i bënte orenditë të ngjanin si kafshë të përgjumura me forma të çuditshme. Ende nuk po mësohej me to. E tërë ajo shtëpi dykatëshe prej guri dhe druri, ndërtuar në stil otoman, ishte e mbushur me orendi dhe mobilje të panjohura për të, konturet e të cilave merrnin natën forma të frikshme. Duke dihatur tashmë tinëzisht ajo futi dorën nën rroba dhe preku veten për t’u bindur se thjesht kishte qenë një ëndërr. “Zot, pse duhej të më ndodhte pikërisht me atë njeri?” - pyeti veten. I ktheu sytë anash e trembur. Aty pranë, shtrirë në brinjë me pamjen e shkujdesur të një bariu, që është mësuar ta kalojë natën jashtë, rënë drejt e në tokë, mbuluar me një gunë, i shoqi flinte. Të paktën ashtu iu duk asaj. “Faleminderit, Zot, nuk e ka dëgjuar atë klithmë të çmendur! - mendoi gruaja. - Gjatë dashurisë me të nuk kam klithur kurrë ashtu.” Ajo doli nga shtrati duke u munduar të bënte sa më pak zhurmë, por në çastet kur po i afrohej derës, i shoqi i foli me një ton çarmatosës: - Vilma, e dashur, nuk është nevoja të shqetësohesh. Do të nisem vonë. - Nuk fle dot më, - u përgjigj ajo. - Vazhdon të të duket ky qytet një vend përrallash? - Në të vërtetë... pjesën më të madhe të kohës... - Në përralla ndodhin gjëra të çuditshme. Gruaja ngriu me njërën këmbë në ajër. “Do t’i ketë dëgjuar edhe rënkimet, edhe klithmën, - mendoi e pataksur. - Dhëntë Zoti, nuk kam përmendur emrin e shqiptarit!” Arriti ta ulte këmbën mbi qilimin e dyshemesë dhe doli pa kthyer përgjigje në mesorinë e gjerë të katit të dytë. Hodhi krahëve një shall leshi, pastaj u ul në një karrige lëkundëse në çardakun e shtëpisë. Ishte ende e ngrohtë, e paçliruar nga magjia e dashurisë së fshehtë. I bëhej sikur duart e shqiptarit e preknin ende nëpër trup. Ndërsa kishte hapur këmbët anash dhe e kishte tërhequr atë mbi vete, Vilma i kishte buzëqeshur paturpësisht, duke e vështruar drejt e në sy. Shqiptari kishte filluar të lëkundej mes këmbëve të saj duke e vështruar i magjepsur, ndonëse ajo nuk kishte qenë kurrë e bukur. Gruas i qe dukur se një pjesë e brendshme e trupit të saj, e lëngshme, e nxehtë, po shkëputej prej saj. Në ato çaste i kishte ngjeshur duart në shpatullat e lagura të shqiptarit. Kishte qenë një akt i plotë dashurie, i shoqëruar me një kënaqësi që Vilma nuk e kishte provuar kurrë në ata katër vjet të jetës së saj martesore, edhe kur i shoqi kthehej në shtëpinë e tyre vieneze pas muajsh të tërë mungese.

Çmimi: 800 Lekë
Blije këtë produkt
800 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Dyrrah (2016)
  • Botuar në: 2016
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-13: 978-9928-4316-1-5
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 276
  • Përmasat e librit: 139 x 206 x 20 mm

Njihu me Autorin

Viktor Canosinaj -

Viktor Canosinaj lindi në vitin 1960 në Vlorë. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në qytetin e Durrësit. Pas studimeve universitare ne Gjuhë - Letërsi, punoi mësues letërsie, gazetar dhe përkthyes. Ai gjithashtu ka punuar për kujdesën e fëmijëve në një fshat të SOS-it. Në vitet 70 publikonte poezi dhe ...

Më shumë rreth autorit
 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania