Gjuha e shpëtuar Histori e një rinie ( Botuar nga: Elena Gjika në 2003 )
Ky libër hap tetralogjinë autobiografike të shkrimtarit të shquar Elias Kaneti, i cili botohet për të parën here në gjuhën shqipe. Qysh kur doli së pari në vitin 1977, kjo "histori e një rinie" u prit si një "vepër klasike bashkëkohore", si një nga ato vepra letrare që e kanë të sigurt jetën e tyre të gjatë e që emocionojnë thellë çdo lloj lexuesi. Me një stil të kthjellët, interesant e prekës gjer në hollësitë më të vogla, Kaneti trajton këtu kujtimet e veta më të hershme, duke na dhënë kështu atë histori unike që për secilin prej nesh është më e fshehta e më enigmatikja: historia e jetës vetjake. Në hartimin e kësaj autobiografie, që, sikurse thekson shtypi i huaj, përbën një mozaik episodesh të fuqishme dhe shumë interesante, të përshkruara me një gjuhë poetike plot ngrohtësi e dritë, Kaneti ka pasur si kredo: "Frikacak, me të vërtetë frikacak, ai që trembet nga kujtimet e veta!"
Autorit nuk i duket pa rëndësi asnjë personazh, ai skicon per secilin një portret letrar plot dashuri, pa e bërë të mërzitshëm tregimin as edhe në një faqe të vetme. Çdo baba e çdo nënë, çdo gjysh e çdo gjyshe duhet të lexojë se çfarë thotë vogëlushi Kaneti për babanë e për nënën, për gjyshin e për gjyshen e vet, çdo mësues duhet të lexojë me vëmendje se çfarë panorame jep për mësuesit vogëlushi Kaneti gjatë orëve të mësimit, dhe të shikojë se ç'vend zë ai vetë në këtë univers. Në librin "Gjuha e shpëtuar - histori e një rinie", i cili është përkthyer në më se 25 gjuhë të ndryshme të botes, nuk ka faqe që të mos e shtyjë lexuesin t'i bëjë vetes pyetje të tilla.
Çmimi:
900 Lekë