Dhe yjet dridhen nga dashuria ( Botuar nga: Neraida në 2008 )
“Dhe yjet dridhen nga dashuria” është një romancë e bukur dashurie mes dy intelektualëve të rinj, të cilët në njohjen dhe zbulimin që i bëjnë njëri-tjetrit, arrijnë të njohin dhe zbulojnë më mirë vetveten. Kris dhe Estia janë dy njerëz te ditëve të sotme, me plot dëshira të bukura dhe pasione për jetën. Të dy të lidhur me menyra të ndryshme me botën e artit, të cilët në dashurinë e tyre shumë pasionante ndjejnë gjithnjë e më shumë përsosjen e qenies njerëzore, sepse fuqi të tillë zotëron ndjenja e bukur e dashurisë. Ashtu siç Kris i shkruan Estias në një nga letrat që përbëjnë komunikimin e tyre të zakonshëm se “Dashuria është forca e botës. Prej kësaj force jemi të tërhequr deri në frymën e fundit. Duke dashuruar njerëzit arrijnë të prekin dhe të besojnë në gjëra që më parë i quanin si të paarritshme, transmetojnë lumturinë e tyre tek njeriu që dashurojnë dhe kështu lumturia e secilit bëhet akoma më e madhe, gjë që aq mrekullisht na ndodhi edhe ne të dyve. E kisha provuar edhe më parë dashurinë, por me ty provova jo vetëm dashurinë e madhe, por edhe të bërit e gjërave të vogla me një dashuri të madhe”. I gjithë libri është i shkruar me shumë frymëzim dhe romantizëm. Me një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm pasqyrohen ndjenjat dhe përjetimet e dy protagonistëve të një lidhjeje shumë të veçantë dhe pasionante, por edhe atmosfera e kohës në të cilën ata jetojnë, Tirana e ditëve të sotme, udhëtimet e tyre si në Paris, Pragë, Londër, apo disa personazhe të tjerë në sfond, me fate të ndryshme nga ajo e tyre, duke krijuar kështu një tablo më të plotë të jetës reale që lidhet direkt ose indirekt me protagonistët. Përmes botës se magjishme të letërkëmbimeve ata tërhiqen si me magji drejt njëri-tjetrit, dhe kjo jo vetëm deri në momentin kur ata takohen, por edhe më pas, gjatë gjithë kohës. Letërkembimi është mënyra dhe mundësia e mirë e tyre për të shprehur jo vetëm ndjenjat dhe botën e tyre shpirtërore, por edhe gjykimet për gjithcka tjetër: artin, letërsinë, udhëtimet, natyrën, marrëdhëniet me të tjerët, gjithçka. Të dy protagonistët janë njerëz me kulturë, me botë të pasur shpirtërore, shumë konkrete dhe reale, adhurojnë të bukurën në gjithçka dhe po në gjithçka urrejnë të shëmtuarën. Ndaj dhe ndodh që dashurinë mes tyre e vleresojnë aq shumë, si të ishte ajo një Zot, pasi, siç shkruan njeri nga protagonistët e romanit “une vetëm këtij Zoti i falem, sepse vetëm tek ky Zot gjej parajsën tokësore. Parajsat e tjera për mua janë të huaja, ashtu sikurse jam unë i huaj për këto parajsa që gjenden kudo, veç jo në tokë”. Diku tjeter nje nga protagonistet e romanit shprehet keshtu, duke pasqyruar edhe simbolikisht gjithe mesazhin e autorit permes ketij libri: “Volteri ka thënë se, “ne do ta lemë këtë botë po aq të marrë dhe gënjeshtare, sa ç’e kemi gjetur kur kemi lindur”... Dhe nëse nuk mund të rregullojmë botën, pasi ajo do të vazhdojë të jetë gjithaq e marrë dhe gënjeshtare, kemi megjithatë një gjë shumë të rëndësishme në dorë: Të dashurojmë! Kështu do të jemi të denjë kundrejt botës dhe fatit, kundrejt të tjerëve dhe kundrejt vetvetes”.
Çmimi:
700 Lekë