Janë dy shkrimtarë të pashëmbullt në ngjashmërinë e talentit dhe të temperamentit të njëri tjetrit. Cora J. Gordon që në moshë të re, kundra dëshirës së prindërve, studioi artet dhe mbas një trainimi intensiv, mori provimin edhe në muzikë. Që t'i kthehej pikturës, ajo u vendos në Paris, ku edhe e gjeti veten plotësisht. Në vitin 1909 ajo u martua me Jan Gordon, i cili ndonëse me diplomë të inxhinjerit minierave, kishte shfaqur prirjen e tij në pikturë, ku dhe kishte hapur disa ekspozita koleksionesh të tij, ndërkohe që ishte edhe zotërues i talentuar i veglës muzikore - banxho. Në vitin 1915, në fillimet e Luftës së Parë Botërore, çiftin Gordon e gjejmë të rregjistruar si vullnetarë në shërbimin shëndetësor në Serbi dhe Mal të Zi ku qëndruan për gati një vit, në vend të tre muajve që kishin planifikuar.
Këtë aventurë ballkanike e kanë përshkruar me ngjyra të gjalla në një libër te titulluar, fillimisht "Fati i të trembëdhjeteve" pastaj korigjuar në "Dy bredharakë në Serbi dhe Mal të Zi".
Në të gjithë udhëtimet dhe aventurat e tyre të mëpasme, Gordonët kanë ruajtur pothuajse të njëjtin titull librash, vetëm duke ndryshuar emrin e vëndit ku kanë bredhur. Kështu i shohim të vizitojnë Spanjën, Francën, veriun e Suedisë - krahinën e Laplandit arktik, Shqipërinë (1925), Portugalinë dhe në fund SHBA. Ata së bashku kanë shkruar dhe mbushur me ilustrime dymbëdhjetë libra udhëtimesh, kurse Jani ka shkruar edhe gjashtë novela dhe biografi, tre libra për kritikë arti dhe shume tregime të tjera të shkurtëra.
Në Shtetet e Bashkuara ata kryen një udhëtim në të dy brigjet e oqeaneve, ku gjatë turit të tyre dhanë koncerte me muzikë popullore spanjolle në kitarë. Jani ka aktruar në filma si në Paris ashtu dhe në Hollyëood së bashku me Cora-n.
Ata jetuan në Paris për 18 vite pastaj u rikthyen ne Angli ku jetuan pjesën tjetër të jetës.
Libri që keni në dorë është shkruar mbështetur në shënimet e tyre gjatë udhëtimit në Shqipëri në verën e vitit 1925.