Blije këtë produkt
400 Lekë

Copëza nga ditari i një liceisti ( Botuar nga: Botimet Ada në 2016 )

Autori:  Ruzhdi Keraj

E lexova me një frymë librin “Copëza nga ditari i një liceisti” të Ruzhdi Kerajt, mikut tim të viteve shkollore dhe më pas të shumë eventeve artistike dhe familjare. Isha kurioz a do ta njihja mes penës së Ruzhdiut Liceun e dikurshëm, atë të viteve tona të shkollimit artistik dhe të përgjithshëm? A do më dilnin edhe njëherë përpara personazhet jetësore që Ruzhdiu me siguri do t’i kishte përshkruar letrarisht në librin që më besoi për lexim që në fillim? Faqet po kalonin rrjedhshëm. U habita që jo vetëm po e shijoja librin në çdo faqe apo episod (copëzë – siç e përcakton që në titull autori), por dhe përmes një vërtetësie totalisht të përshkruar si në një skenar filmi të neorealizmit të dikurshëm. Kuptova menjëherë pas përfundimit të leximit se autori i shkrimit si skenar e kreu këtë “amanet” ndaj vetes, pasi për të perifrazuar kolosin Bethoven “po mos t’i nxirrte këto copëza, ato do ta tresnin apo digjnin brenda tij.” Si mos t’i digjte djaloshit tonë të porsazbritur në oborrin e pamasë të Liceut Artistik “JORDAN MISJA”, te rruga e ‘Kavajës’, fakti që përzgjedhja e talentit të tij ishte bërë nga vet Prenk Jakova, që ishte një kult më vedi në Shkodër, që për seriozitetin dhe përkushtimin ndaj muzikës flijoi shumë nga jeta e vet dhe e familjes së tij ? Ta, ta, ta – me këtë borie për të dalë jashtë termave profesionalë nis tregimi i Rruzhdiut adoleshent atëherë. Ky tension tregimi, me nota demaskimi për raportet mes pedagogjisë së vërtetë (që buronte dhe atëherë nga përkushtimi total ndaj muzikës), që Ruzhdiu e gjen së pari te profesori i tij i adhuruar Ramadan Sokoli e disa të tjerë, me të cilët bashkohem pa mëdyshje, ndonëse për përvojën time të atëhershme kam dhe unë preferenca. Por asgjë s’ka më shumë rëndësi. Për hir të tregimit të copave jetësore që atij i krijuan atë zjarr shpirtëror, që e derdh më në fund në faqet e librit, çdo dëshirë personale e lexuesit mbetet në plan të dytë. Kjo sepse shkrimi i copëzave memuaristike të autorit nuk është nisur që në krye të herës me synimin e një botimi kujtimesh përgjithësuese për të gjithë ata që jetuan atë kohë, me kategorizimin e kolegëve, talenteve mbi bazën e vlerësimit krijues të atëhershëm dhe të mëvonshëm. Jo, Ruzhdiut i kanë djegur rrethanat jetësore dhe ato për të cilat ai është dëshmitar i pakorrigjueshëm, i kolegëve të shkollës dhe konviktit me të cilët nis jeta e tij në vitet liceiste, me gjithë incidentin që i ndodhi atij, gjithashtu përjetim djegës për personalitetin e tij, qoftë dhe të adoleshencës në ato vite. “Copëzat” e zgjedhura nga autori të krijojnë një tablo reale të jetës shkollore në Lice. Tonaliteti i përgjithshëm, megjithëse kjo nuk duket si tendencë e përzgjedhur e tij, mbetet tonaliteti minor me karakter herë të dhimbshëm, herë dramatik, pse jo edhe me nota proteste, që nuk ka ngurruar t’i shprehë realisht në kohë dhe së fundi në faqet e librit. Metodat, realiteti i egër politik, karakteret negative janë në një unison, që ndihej tek shumica, për të mos qenë kategorik tek bashkëmoshatarët e tij. Sa për ne të “jashtmit”, që kishim filluar liceun që në fëmijëri (klasa e parë fillore) dhe nuk jetonim në ato vite jetën konviktore, unë e dëshmoj analizën, që del së fundi nga libri, si të drejtë. Madje dhe qesëndisjen e Ruzhdiut diku në libër për ne fëmijët e artistëve, disi të përkëdhelur dhe që duket sikur don të na e thotë atë përkufizimin “fëmijë mikroborgjezë”, që disi e keni ndjerë gjatë gjithë jetës, unë e suportova si shenjë sinqeriteti dhe besnikërie ndaj mbresave të tija rinore. Jeta e këtyre fëmijëve nga bota e artit apo bij të artit vërtetoi se jo të gjithë e kryen karrierën e tyre siç e nisën. Pavarësisht nga “madhështia e prindit”, ata e gjetën vendin e tyre aty ku ishin më të vlefshëm, pa ndonjë përkrahje jashtë vlerave, pasi “Partia”ishte vigjilente dhe dinte se dhe ajo shtresë shoqërore meritonte mbështetjen e plotë të ‘rendit sundues’. Po ta marrim këtë botim letrar, mbase dhe roman të vërtetë, i bie barra autorit të vijojë edhe një a dy vëllime të tjera mbi sa ka përjetuar në jetë si dëshmitar tërësisht i besueshëm dhe me penë të mirë, kaq më shumë se midis artistëve mesatarë, të mirë dhe shumë të mirë, që përgatiti Liceu që në fillimet e tij, janë të paktë ata që kanë penën dhe madje dhe penelin e Ruzhdi Kerajt, të aftë për të lënë mbresa dhe gjurmë në kronikën e vërtetë të shkollës dhe shoqërisë aq kontradiktore, që jetuam tash e 70 vite më parë. Modestisht Zhani Ciko

Çmimi: 400 Lekë
Blije këtë produkt
400 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Botimet Ada (2016)
  • Botuar në: 2016
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-13: 978-9928-223-46-3
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 104
  • Përmasat e librit: 120 x 198 x 9 mm

Njihu me Autorin

 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania