Per shkak te situates te covid-19, do te jemi mbyllur deri ne nje njoftim te dyte.
Faleminderit per mirekuptimin.

Due to covid-19 situation, we will be closed until a second announcement.
Thanks for your understanding.

 

 

Blije këtë produkt
600 Lekë

Camera obscura ( Botuar nga: Globus R. në 2007 )

Autori:  Luan Rama

Pjese nga libri: ... Atë të hënë në mbrëmje duhej të shkonte në një ekspozitë që hapej në “Les Halles”, pranë “Qendrës Kulturore George Pompidou”. Ishte një mjedis që asaj i pëlqente, një vend plot gjallëri e të rinj, me shatërvanin e madh në mes dhe artistë të rrugës që u binin violinave apo kitarave. Por atë ditë ndjente se e kishte pushtuar një lodhje e çuditshme dhe vendosi të kthehej në shtëpi. Ishte një nga ato ditët kur ajo e ndjente veten krejt të zbrazët dhe pa asnjë lloj dëshire. “Ndoshta ngaqë jam në prag të menstruacioneve”, kërkonte ti mbushte mendjen vetes. Por në thellësi e ndjente se kjo ishte diçka më shumë. Ndoshta mungesa e Fredit. Me siguri… Kur hyri në shtëpi dhe ndezi televizorin, u befasua menjëherë nga pamjet që po transmetoheshin: një tablo ku shquhej me sa dukej trupi i gjymtuar i një gruaje, me këmbët e hapura dhe seksin e saj në plan të parë. Pamja lakuriqe e habiti pa masë, ndërkohë që spikeri fliste për tablonë e gjetur më së fundi të Gustav Kurbesë, e cila i dhurohej muzeut të Orsay-t nga familja e Silvia Bataj. Në ceremoni, dukej dhe ministri i Kulturës, i cili përuronte hyrjen e tablosë në fondin e muzeut dhe që përshëndeste të pranishmit në sallë. Lajmi u mbyll sërrish me pamjen e tablosë dhe fjalët e spikerit: “Kjo tablo i ishte komanduar Kurbesë nga ish ambasadori turk i asaj epoke në Paris, Halil Beu, i cili rridhte nga familja e Mehmet Ali Pashës së Egjiptit”… Televizioni po jepte pamje të tjera, por ajo qëndronte gjithnjë si e shtangur, me sytë e mbërthyer drejt ekranit dhe bluzën e hequr që e mbante gjithnjë në duar. Përpiqej ti rikthente në imagjinatë imazhet që sapo kishte parë, si në një bobinë filmi. Ajo e njihte mirë piktorin Kurbe dhe epokën e impresionistëve, kishte parë disa albume të tij, por gjëkundi nuk kishte pikasur madje as kishte lexuar për ekzistencën e një tabloje të tillë. QuhejOrigjina e botës. Pas më shumë se një shekulli, ja ku zbulohej tabloja e humbur. Ç’të kishte ndodhur vallë me të? Përse ishte mbajtur e fshehur? Në shekullin e XX nudot nuk ishin më një tabu: surealistët, post-surealistët, avangardistët e të gjitha shkollave, tashistët, fovistët, etj, të gjithë kishin përcjellë imazhet e tyre rreth nuditetit të femrës, seksit të saj. Magjithatë, ajo pamje që sapo kishte parë dallohej nga të gjitha. Ishte krejt e veçantë dhe shumë realiste. Menjëherë iu kujtua Edi, të cilin e kishte përcjellë dy javë më parë. Shoku i saj i Arteve të Bukura, kishte ardhur në Paris pas një ekspozitë të tij në Amsterdam dhe tani kthehej për të organizuar një ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Do të quhej “Post-Eva”. - Ideja jote është mjaft interesante. Jam e bindur që do të ketë shumë sukses! - i kishte thënë Ada. - Eshtë e para e këtij lloji, - i ishte përgjigjur ai. - Pas kaq vitesh tranzicion duhet të kthejmë kokën nga e kaluara e pikturës sonë. - Nga nudo e «mohuar»! - shtoi ajo. Atë mbrëmje të vonë në shtëpinë e tyre, Fredi nuk arrinte ta kuptonte që dhe një nudo e thjeshtë, gjatë kohës së diktaturës, ishte e ndaluar. - Atëherë duhej të ishin të ndaluar dhe klasikët, neo-klasikët, Da Vinçi, Ticiani, e më pas Rubens, Van Dik, Rembrand…të gjithë ata që pikturuan nudo. - Jo, ata për fat nuk u ndaluan, - tha Edi, - por veprat e tyre nuk ekspozoheshin, pra librat, albumet, qëndronin nën etiketën «rezervat». - Në biblioteka mund t’i shikoje me autorizim, - shtoi Ada. - Kjo ndoshta ishte e ndaluar në Kinë, gjatë Revolucionit Kulturor, ku dhe Bethoveni u ndalua të interpretohej nga instrumentistët. - Çfarë epoke? E pa imagjinueshme?! - pëshpëriti Fredi, i cili s’mund ta kuptonte se mund të futeshe në burg dhe për një nudo. - Ishte koha e paranojës…- tha më së fundi Edi. - Kohë kur dhe heroinës së Delakruasë në tablonë e famshme Liria, kur u botua i mbuluan gjinjtë. - Mjerisht shumë nudo shqiptare të asaj epoke janë zhdukur. Disa nga krijuesit i shkatërruan dhe i dogjën nga frika se mund të përfundonin burgjeve. Të tjerë i fshehën ndër miqtë e tyre. - Po si mund të organizosh një ekspozitë të tillë? - Kam arritur të mbledh rreth njëqind vepra, të cilat do ti ekspozojmë në nëntor. - Gjeniale! - ishte entusiazmuar Ada. - Hë, si thua, do të vish në Tiranë? - Nuk e di… kam frikë se në atë kohë është dhe ekspozita ime, por pse jo? E di që kam mall?...Kam shumë mall… Apo jo Fredi?!

Çmimi: 600 Lekë
Blije këtë produkt
600 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Globus R. (2007)
  • Botuar në: 2007
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-13: 978-99943-53-64-4
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 340
  • Përmasat e librit: 137 x 202 x 15 mm

Njihu me Autorin

Luan Rama -

Luan Rama ish-Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës korrik, 2002 - tetor, 2003 të qeverisë socialiste. Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së. Luan Rama është një nga 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017.[1] Ai i përket Lëvizja ...

Më shumë rreth autorit
 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania