Frika përfaqëson në vetvete diçka që mund të ndihet. Ne atë e quajmë gjendje afektive, ndonëse po ashtu nuk e dime ç'do të thotë afekt. Si ndjesi, frika karakterizohet nga një shenjë fare e qartë e diçkaje të pakëndshme, por me kaq nuk merr fund cilësia e saj: jo çdo gjë që ka karakterin e të pakëndshmes mund ta quajmë frikë.
Ka edhe ndjesi të tjera të karakterit të pakëndshëm (tensioni, dhembja, hidhërimi) dhe frika, përveç kësaj cilësie të të pakëndshmes, duhet ë ketë edhe veçori të tjera. Lind pyetja: a do të mund ta kuptojmë dallimin midis këtyre afekteve të shumëllojshme?
Nga ndjesia e frikës, sidoqoftë, mund të veçojmë diçka. Karakteri i saj i pakëndshëm duket sikur ka njëfarë veçorie. Kjo është vështirë të vërtetohet, por duket tepër e besueshme, dhe këtu s'do të kishte asgjë për t'u çuditur. Por, përveç kësaj shenje të veçantë që zor se mund të veçohet, në rastin e frikës provojmë ndjenja fizike të caktuara, që i lidhim me organe të caktuara.
Meqënëse fiziologjia këtu nuk na intereson, për ne është e mjaftueshme të veçojmë përfaqësues të veçantë të këtyre ndjenjave trupore, dmth më të qartat dhe më të shpeshtat që dalin nga organet e frymëmarrjes dhe nga zemra.
Ato na shërbejnë si prova që inervacionet motorike dmth proceset që largojnë ngacmimin, marrin pjesë në afektin e përgjithshëm të frikës. Analiza e gjendjes së frikës na zbulon kësisoj momentet që vijojnë: e para, karakterin specifik të të pakëndshmes, e dyta, reagimin e largimit të ngacmimit dhe, e treta, peceptimin e këtyre momenteve.
Price:
1000 Lekë