Libri “Leon Rey… dhe gurët filluan të flasin”, është libri i autorit Luan Rama, i cili pas librit “Kalorësit e Stuhisë”, një ese për piketakimet franko-shqiptare nëpër histori dhe “Doreshkrimeve të Purpurta” lidhur me kodikët më të bukur të botës dhe në veçanti ata të Beratit, sjell për herë të parë një vështrim të thellë për jetën dhe kontributin e arkeologut francez Léon Rey në vitet 30’ të shekullit XX. Siç thotë dhe në pasthënien e këtij libri profesori francez i Antikitetit Pierre Cabane, “Léon Rey është për secilin nga ne, themeluesi i bashkëpunimit arkeologjik midis Francës e Shqipërisë… Ai duhet të mbetet i tillë dhe për gjeneratat e reja të arkeologëve, shqiptarë, francezë apo të kombësive të tjera, si një model i seriozitetit intelektual, i cilësisë shkencore, i ndershmërisë dhe i humanizmit.” Kur e pyet autorin Luan Rama se përse iu drejtua këtij arkeologu, jetës dhe veprës së tij, çka dhe i hapi rrugën arkeologjisë shqiptare në Apolloni, bashkë me arkeologun e njohur Hasan Ceka, ai të thotë: “Pikëtakimi i parë me Apolloninë ka ndodhur vonë tek unë, atëherë kur isha një djalosh njëzetvjeçar dhe si studentë, gjatë pushimeve të verës punonim vullnetarisht për ndërtimin e stacionit të hekurudhës së re në Fier si dhe në Mbrostar, jo larg këtij qyteti”. Ky libër, i cili ndjek kërkimet e Léon Rey-it gjatë 16 viteve gërmime që ai kaloi në Shqipëri (pra gjer në kohën e pushtimit fashist më 1939), na shpalos dhe jetën intime të arkeologut, miqësinë me shqiptarët, veçanërisht me bashkëpuntorin e tij Hasan Ceka, apo kryepuntorin e tij Lluka Samarxhiu, dhe igumenin e manastirit të Pojanit, etj. Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese Globus R, shoqërohet dhe me një numur të madh fotografish, (disa prej të cilave kanë pasuruar tashmë arkivin shtetëror të Shqipërisë), fotografi që ilustrojnë historitë e shumta të këtij libri, personazhet, ngjarjet dhe emocionet gjatë gërmimeve në Apolloni, botimet në revistën ALBANIA që nxorri Rey dhe që ishte një nga revistat më të mira të asaj kohe në Evropë.
Price:
800 Lekë