Është kënaqësi t'i kesh para vetes poezitë më të mira Horhe Luis Borhesit, Pablo Nerudës, Oktavio Pazit, Ruben Darios Hulio Kortasarit, Federiko Garsia Lorkes, Nikanor Parras, Mario Bene, Alehandra Pizarnikut e shumë të tjerëve, po aq shkëlqyes vargun e tyre e po aq të rëndësishëm për letërsinë e vendeve të tyre, por edhe për atë të përbotshme. Por, kënaqësia më e madhe është kur e merr njeriu lapsin dhe tenton t'i thurë dy a tri fjale për artin e tyre poetik. Pos që është kënaqësi, është edhe ndërmarrje e vështirë. Ç'mund të thotë një shkrimtar i një kulture të vogël, si Jona, për një letërsi të një kulture të madhe, siç është ajo hispanike?!
Në fillim ishte ngazëllimi, pastaj interpretimi. Nuk mund të mos ngazëllehesh me penën e mjeshtërve të tillë, të cilët në secilin varg e në secilën fjalë lënë gjurmët e një harmonie dhe të një ritmi që të pushton tërësisht. Një poezi si "Vetëvrasës" (H. L. Borhes) do të donim ta lexonim tërë ditën. Por, ja që poezia e ka fatin të jetë formëshkurtër dhe goditja e saj është e rrufeshme, për dallim prej prozës që mund të të mbajë me ditë të tëra në stuhinë e saj. Për dallim prej romanit që të shëtit në labirintet e tij, poezia vetëm të thotë Ja, ky është labirinti, brenda të cilit duhet të udhëtosh vetë.
Hyr, po pate llambë me vete! Këtë ndjesi na i dha leximi i poezisë hispanike, ndjesinë e labirintit, të ndërtuar me shenja gjuhësore, pas së cilave fshihen kuptime e mesazhe të pafundme.
Price:
800 Lekë