Shpirti i përditshëm krijues i poetit Tonin Nikolli në poezitë e tij “Dashuria ime quhet Drin” sikur na bëhet një shtigjehapës përjetimesh të njohura, por të pa provuara, si degëzim ngarendjesh edhe drejt njohjes së vetvetes krijuese brenda magjisë poetike. Edhe gjëmimet e ëmbëla, të mbushura edhe me dhembje e mall brenda ditëve të historisë dhe të tashmes trazuese, brenda përmbajtjeve poetike, ndërtojnë hapësira qiellore dhe shpirtërore, duke krijuar dhe përpjekje për shëmbjen e shëmtive të heshtura dhe shumëherë të ledhatuara njerëzore. Poeti Tonin Nikolli me poezitë e tij të librit “Dashuria ime quhet Drin” trajton mesazhe të qarta, të ndjeshme dhe porositëse për kuptimzbërthimin e paluhatshëm të dashurisë ndaj vendit dhe mjediseve tona të ngrohta, por të shumëvuajtura, siç mund të përjetohen këto edhe në poezinë e tij shumëdimensionale “ Shkon Drini”, “Gjireve të heshtur flejnë mendimet e mia për ty”. Në këtë volum poezishë të këtij autori vërehen dhe jetësohen edhe britma porosishë dhe zhgënjimesh në gjithë atmosferën jetuese dhe ëndërruese në situate të ndryshme, nëpër të cilat ka kaluar dhe kalon kolektivi ynë njerëzor. Ky përjetim shfaqet dhe trajtohet edhe si gjendje faktike jona, por edhe si krenari kërkuese. Leximi i poezive në këtë libër të Tonin Nikollit, jo vetëm të mbërthen tematikisht edhe me ritëm të prajshëm porosishë vrojtuese, por dhe me “britma” të buta shpjegimesh reale të ca gjërave jetike, por të cilat vazhdojnë të flejnë në shtratin tonë të mendjes harrestare, edhe pse “Dallgët më çojnë larg, në ujëra të trazuar”.
Price:
800 Lekë