Faqja e autorit

Beqir Meta


Beqir Meta është historian shqiptar, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Prof. Dr. Beqir Meta u lind në qytetin e Tiranës më 13 nëntor 1957. Pas përfundimit të arsimit të mesëm ai filloi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, në degën e historisë (1977 – 1981) ku u dallua si një student i shkëlqyer dhe këmbëngulës.

Pas diplomimit për një periudhë të shkurtër kohe ai ushtroi profesionin e mësuesit pasi shumë shpejt u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit në sektorin e botimeve të dokumenteve historike (1983-1988). Në këtë sektor gjatë viteve 1988-1991 ai mbajti postin e Kryetarit të Degës së Përpunimit shkencor të dokumenteve. Ndërsa në vitet 1991-1993 ai ushtroi detyrën si Përgjegjës i Sektorit të Botimit të Dokumenteve Historike në Institutin e Historisë. Në vitin 1994 ai emërua Shef i Departamentit të Historisë së periudhës moderne të Shtetit Shqiptar në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave, detyrë të cilën ai e ushtroi deri në vitin 1997. Gjatë viteve 1997-2005 Prof. Beqir Meta vazhdoi punën kërkimore-shkencore si Studiues në Departamentin e Historisë së periudhës moderne të Shtetit Shqiptar po në Institutin e Historisë. Në vitin 2005 ai u emërua Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar detyrë që e ushtroi deri në vitin 2008 kur me reformimin e Akademisë së Shkencave dhe me krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike u emërua si Zv. Drejtor i QSA dhe Drejtor i Institutit të Historisë detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe sot e kësaj dite.

Prof.Dr.Beqir Meta ka një karrierë të pasur profesionale duke zotëruar të gjitha shkallët e kualifikimit akdemik. Në vitin 1990 ai mori gradën “Doktor i Shkencave Historike” me disertacionin “Politika tatimore e shtetit shqiptar 1925-1939”, në vitin 1996 fitoi titullin “Mjeshtër Kërkimesh” (Profesor i associuar), ndërsa në vitin 2003 “Drejtues Kërkimesh” (Profesor, doktor). Si rezultat i veprimtarisë së gjerë shkencore dhe botimeve të shumta në fushën e studimeve historike në vitin 2008 Prof.Dr.Beqir Meta u bë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe iu dha titulli “Akademik”.

Shiko librat e autorit

Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania